Rehabilitimi pas frakturave: rikthimi i lëvizjes dhe i forcës
Gipsi u hoq, por dora apo këmba ende nuk ju bindet? Blend Bytyqi ju ndihmon ta lironi nyjën e ngurtësuar, ta rifitoni forcën dhe t'u riktheheni punëve të përditshme, gjithmonë sipas udhëzimeve të ortopedit tuaj.
Plan sipas thyerjes suaj
Kocka e fiksuar me pllakë e vida nuk trajtohet njësoj si ajo që u mbajt në gips. Fillojmë me raportin e ortopedit dhe me rëntgenin e fundit.
Fizioterapi pas heqjes së gipsit
Pas javësh pa lëvizje, nyja ngurtësohet dhe muskujt dobësohen. Me ushtrime të buta, lëvizja kthehet pak nga pak.
Ecje, kapje dhe punë
Përparimin e matim me gjëra të përditshme: ta mbani filxhanin pa u dridhur, ta lini shkopin, të dilni vetë deri në dyqan.
Pse duhet rehabilitim pas frakturës, kur kocka është ngjitur?
Kur ortopedi ju thotë se kocka është ngjitur, duket sikur puna mbaroi. Shumë njerëz vetëm atëherë e kuptojnë sa është dobësuar dora apo këmba gjatë javëve në gips: nyja nuk lëviz si më parë, muskujt janë holluar dhe çdo hap a kapje bëhet me kujdes. Te të rriturit, shumë thyerje ngjiten për rreth gjashtë deri në dymbëdhjetë javë, por forca dhe lëvizja zakonisht kthehen më ngadalë.
Një rehabilitim pas frakturës që nis në kohë ka tri synime: ta kthejë lëvizjen e nyjës, ta rikthejë forcën dhe t'ju bëjë të ndiheni sërish të sigurt në ecje e në punë. Sa mund ta shkelni këmbën dhe kur lejohet lëvizja, i vendos ortopedi. Ne punojmë brenda këtyre kufijve, si me thyerjet e trajtuara me gips, ashtu edhe me ato të fiksuara me pllaka, vida ose gozhdë.
Kur ju duhet fizioterapi pas thyerjes së kockës?
Shumë njerëz na vijnë vetëm pasi kanë kaluar muaj. Mos prisni aq gjatë nëse vëreni ndonjërën prej këtyre:
Pas heqjes së gipsit, nyja nuk përkulet ose nuk drejtohet aq sa ajo në anën e shëndoshë
Dora ose këmba fryhet nga mbrëmja, sidomos kur e keni mbajtur gjatë të varur
Nuk arrini ta shtrëngoni grushtin, nuk e hapni kavanozin ose ju bie çanta nga dora
Çaloni ose keni frikë ta shkelni plotësisht këmbën, edhe pse mjeku jua ka lejuar
Kofsha, pulpa ose krahu janë dukshëm më të hollë se në anën tjetër
Ju janë vendosur pllakë, vida ose gozhdë dhe ortopedi ju ka rekomanduar fizioterapi
Pas thyerjes së ijës, ngritja nga shtrati dhe ecja nëpër shtëpi janë bërë të vështira
Kocka është shëruar, por dhimbja vazhdon me muaj dhe po kthehet në dhimbje kronike
Lajmërojeni menjëherë mjekun ose shkoni në urgjencë nëse dhimbja nën gips sa vjen e shtohet dhe nuk qetësohet as kur e mbani dorën a këmbën lart, nëse gishtat mpihen, zbehen, marrin ngjyrë të kaltër ose ftohen, ose nëse nuk mund t'i lëvizni. Po ashtu shkoni te mjeku kur pulpa e këmbës fryhet, nxehet dhe dhemb, kur ju zihet fryma ose ju dhemb gjoksi, si dhe kur pas operacionit plaga skuqet, rrjedh ose ju rritet temperatura. Këto shenja i vlerëson mjeku, jo fizioterapisti.
Thyerjet që i trajtojmë më shpesh
Rikuperimi varet nga kocka që u thye, nga mënyra si u trajtua (gips, ortezë apo operacion), nga mosha dhe nga puna që bëni.
Kyçi i dorës
Një frakturë e kyçit të dorës ndodh zakonisht kur rrëzoheni mbi dorë të shtrirë, sidomos në akull. Pas gipsit shpesh mbeten gishtat e ngurtë, vështirësia për ta kthyer pëllëmbën lart dhe kapja e dobët. Rishikimi i Cochrane (2015) vëren se ende nuk ka prova që një metodë është më e mirë se të tjerat, ndaj programin e përshtatim për secilin pacient.
Kyçi i këmbës
Një frakturë e kyçit të këmbës ndodh shpesh kur këmba përdridhet në shkallë, në trotuar ose gjatë futbollit. Trajtohet me gips, me çizme ortopedike ose me operacion. Sipas rishikimit të Cochrane (2024), shkelja e këmbës më herët pas operacionit mund të ndihmojë pak në muajt e parë, por vendimin e merr kirurgu.
Ija te të moshuarit
Një frakturë e ijës te të moshuarit ndodh zakonisht pas një rrëzimi në shtëpi dhe pothuajse gjithmonë operohet. Pacienti ngrihet nga shtrati sa më shpejt që e lejon mjeku. Synimi është që i moshuari të ecë i sigurt, t'ia dalë vetë në shtëpi dhe të mos rrëzohet sërish.
Krahu, kërciri dhe kockat e vogla
Thyerjet pranë shpatullës, të bërrylit, të kërcirit, të gishtave apo të shputës. Secila ka afatet e veta se kur lejohet lëvizja dhe kur mund të mbani peshë, dhe ne i ndjekim ashtu siç i ka shënuar ortopedi.
Si ju ndihmojmë në Active Physiotherapy?
Vlerësimi i parë
- Shohim raportin, rëntgenin dhe udhëzimet se sa guxoni ta shkelni këmbën
- Matim sa lëviz nyja, sa është fryrë dhe sa forcë ka
- Pyesim për punën tuaj dhe për atë që ju mungon më shumë
- Kontrollojmë edhe nyjat përreth, të cilat ngurtësohen pa u vënë re
Lëvizja e parë pa gips
- Ushtrime të buta kundër ngurtësisë pas gipsit
- Kundër ënjtjes: dora a këmba lart dhe lëvizje e shpeshtë
- Ecja me paterica, aq sa lejohet ta shkelni këmbën
- Kujdes për vragën, pasi plaga të jetë mbyllur plotësisht
Forca dhe jeta e përditshme
- Forcim i shtuar gradualisht, me llastik e pesha
- Ushtrime ekuilibri pas thyerjeve të këmbës e të ijës
- Ushtrime për kapje, bartje, shkallë dhe ngritje nga karrigia
- Hapa konkretë për kthimin në punë fizike ose në sport
Mjetet që përdorim pas thyerjeve:
Ushtrime hap pas hapi
- Lëvizje aktive për nyjën që ka qenë e palëvizur
- Forcim me peshën e trupit, llastik dhe pesha të lehta
- Për dorën: shtrëngim, kapje e sendeve të vogla dhe rrotullim i pëllëmbës
- Disa ushtrime të zgjedhura për t'i bërë në shtëpi
Terapi manuale
- Mobilizim me duar i nyjës që ende nuk lëviz plotësisht
- Punë me muskujt e tendosur dhe me lëkurën rreth vragës
- Teknika të lehta që e ndihmojnë tërheqjen e ënjtjes
- Gjithmonë si përgatitje për ushtrimet, kurrë në vend të tyre
Ecja, ekuilibri dhe shtëpia
- Përdorimi i saktë i patericave, i shkopit ose i ndihmëses për ecje
- Kalim gradual nga shkelja e pjesshme në shkeljen e plotë të këmbës, me lejen e ortopedit
- Ushtrime për ekuilibrin, që të ulet rreziku për një rrëzim të ri
- Këshilla për shtëpinë: qilimat, dritën e natës dhe këpucët
Pse pacientët pas një thyerjeje na zgjedhin?
Ortopedi cakton kufijtë, ne punojmë brenda tyre
Sa mund ta shkelni këmbën, kur hiqet orteza dhe cilat lëvizje ende nuk lejohen, i vendos ortopedi juaj. Programin e ndërtojmë brenda këtyre rregullave dhe, kur diçka nuk shkon siç pritej, ju dërgojmë te mjeku.
Nuk e harrojmë pjesën tjetër të krahut a të këmbës
Pas thyerjes së kyçit të dorës shpesh ngurtësohen edhe gishtat, bërryli e shpatulla, sepse krahu është mbajtur javë të tëra afër trupit. Pas thyerjes së kyçit të këmbës shpesh dobësohen edhe gjuri e ija. I ushtrojmë edhe ato.
E dini saktë sa keni përparuar
Në çdo kontroll matim sa përkulet nyja, sa fort e shtrëngoni dorën ose sa gjatë qëndroni në një këmbë. Kështu e shihni përparimin edhe kur ju duket se s'po lëvizni nga vendi.
Familja është pjesë e trajtimit
Pas thyerjes së ijës, të afërmit i mësojmë si ta ndihmojnë të moshuarin të ngrihet e të ecë, pa e mbajtur në shtrat më shumë se duhet. Për rehabilitim pas frakturës, rezervoni një termin ose na merrni në telefon: +383 48 570 220.
Pyetje të Shpeshta
Shërbime të Ngjashme
Dhimbja kronike
Kocka është shëruar prej kohësh, por dhimbja nuk largohet? Plan afatgjatë që e ul ndjeshmërinë ndaj dhimbjes dhe ju ndihmon të lëvizni sërish pa frikë.
Mëso më shumëDhimbja e gjurit
Pas javësh me paterica ose me këmbën të palëvizur, gjuri shpesh mbetet i ngurtë e i dobët. Vlerësim dhe ushtrime të posaçme për gjurin.
Mëso më shumëDhimbja e shpinës
Çalimi dhe ecja me paterica për javë të tëra mund ta lodhin mesin. Ushtrime që e lirojnë dhe e forcojnë shpinën e poshtme.
Mëso më shumë
